10:54, 9 Nëntor 2018

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar në Twitter për skenat që u panë dje në Bularat, gjatë varrimit të Kostandinos Kacifas.

Duke cituar një shprehje të famshme të ish-kryeministrit britanik Benjamin Disraeli, Bushati shpjegon dhe qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj zhvillimeve të ditëve të djeshme në Bularat.

Bushati thotë se “situatat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”.

Gjatë ditës së djeshme në Bularat u zhvillua ceremonia e varrimit të Konstandinos Kacifas, ku pati provokime dhe thirrje të shumta antishqiptare, shkruan Top Channel.

Ndërkohë, kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Alexis Cipras e kanë dënuar këtë sjellje duke kërkuar qetësi, si dhe kanë theksuar se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.