“Së pari duhet të dakordohemi cka duam të flasim me Serbinë. Pastaj nuk do të kishte rëndësi kush e përfaqëson Kosovën në dialog. Mirë do të ishte që qeveria ta bëjë këtë gjë, sepse Thaçi në historinë e tij të negociatave me Serbinë ka treguar se është i gatshëm të dorëzohet më herët se që pritet”

18:37, 13 Mars 2018

Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA, Bilall Sherifi, ka thënë se beson që negociatat me Serbinë, që pritet t’i japin qartësi raporteve mes dy vendeve, duhet t’u prijë qeveria, pasi presidenti Hashim Thaçi ka treguar se ka tendencë të dorëzohet më herët se që pritet.

“Së pari duhet të dakordohemi cka duam të flasim me Serbinë. Pastaj nuk do të kishte rëndësi kush e përfaqëson Kosovën në dialog. Mirë do të ishte që qeveria ta bëjë këtë gjë, sepse Thaçi në historinë e tij të negociatave me Serbinë ka treguar se është i gatshëm të dorëzohet më herët se që pritet”.

“Bashkimit Europian i ka mbetur telashja në derë, sepse deri tani problemet i ka zgjidhur Amerika. Unë besoj që ky proces i ardhshëm i dialogut nuk varet shumë nga Serbia, sa varet nga vendosmëria e palës kosovare. Pakoja e Ahtisarit është limiti i kompromiseve që mund të bëhen, nëse Kosovën duam ta ruajmë si shtet unitar”.

“Serbia vazhdimisht kërkon gjëra. Fillimisht nu pati pranuar as të ulet të bisedojë, pastaj e ka bërë këtë gjë. Ajo gjithmonë kërkesat i ka maksimaliste. Unë e di që procesi i dialogut do të sjellë tek një rezultat final, që do të përcaktojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë më të gjatë”.

Në Info Magazine të Klan Kosovës ai ka folur edhe për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që sipas tij mund të bëhet edhe me votat e Listës Serbe, në ditët në vijim.

“Mendoj që në parim serbët kanë rënë dakord që të ecet përpara. Tani janë në fazën finale që të ecet drejt ratifikimit të demarkacionit. Kushte nuk kanë, por po duan të nxjerrin dicka”.

“Di që është thënë që gjithcka që është konform kushtetutës, ligjeve dhe Pakos së Ahtisarit koalicioni është gati ta përmbushë. Ne mund të diskutojmë shumë gjëra, por nuk jemi të gatshëm të arrijmë ndonjë ujdi për ndonjë gjë jashtë tyre”.

“Mendoj që kompetent për këtë gjë është Hashim Thaçi. Ai ka kontakte më të shpeshta me të, edhe telefonike, edhe fizike. Ai është më kompetent të flasë për këtë gjë. Për mendimin e Aleksandar Vuçiq duhet ta pyesni Thaçin”.

Ndërsa sa i përket idesë së ndarjes së Kosovës, që ka qarkulluar në media javëve të fundit, Sherifi atë nuk e sheh si produkt të diplomacisë ndërkombëtare, por ndoshta të tre liderëve, të tri vendeve, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që këto nëse janë vetëm ide të Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuciqit, atëherë do të mbesin ide. Nëse janë të fuqive të mëdha, puna është ndryshe. Unë mendoj që nuk janë ide të këtyre të fundit”. /klankosova.tv