15:23, 12 Korrik 2018

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka njoftuar se ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme rreth fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi.

Nëse mblidhen nënskrimet kjo seancë e jshtëzakonshme është kërkuar të mbahet më 16 korrik në orën 11:00.

“Muajin e kaluar në Bruksel, pa marrë pëlqimin e Kuvendit, dhe pa platformë shtetërore të miratuar nga Kuvendi, është zhvilluar takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Në ndërkohë, nga Zyra e përfaqësues së lartë e Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi i radhës ndërmjet të dy presidentëve do të mbahet me 18 korrik 2018 në Bruksel”.

“Duke e pasur parasysh ndikimin politik që ka ky dialog dhe marrëveshja eventuale që del nga ai do ta ketë në procesin e shtetndërtimit, zhvillimit, e demokracisë në Republikën e Kosovës, përmes kësaj seance të jashtëzakonshme deputetët nënshkrues do të kërkojnë që diskutimi dhe vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, organit më të lartë legjislativ” ka shkruar Ymeri në Facebook, transmeton Klan Kosova.