11:35, 17 Prill 2018

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka bërë një deklaratë bombastike, gjatë një interviste për TV Pink, kur ka thënë që shteti i tij, me një vendim të pamenduar mirë, i ka dhënë legjitimitet shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai ka bërë këto komente teksa ka folur për kritikat që politikës së tij janë duke ia bërë opozitarët në Beograd.

“Kundërshtarë për ne, në cështjen e Kosovës, nuk janë shqiptarët, por ata që e kanë krijuar atë shtet, dhe të cilët na e kanë marrë atë territor, kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008”, ka thënë ai, përcjellë klankosova.tv. “Serbia, me pyetjen e cuditshme, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i ka dhënë legjitimitet kësaj”.

Klankosova.tv ju kujton se pyetja që i ishte bërë GJND-së, me nismën e Serbisë, për mes rezolutës 63/3 të OKB-së, ishte: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e marrë nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha me 22 korrik 2010. Me 10 vota pro dhe 4 kundër, ai mendim ishte se”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk cenon normat e së drejtës ndërkombëtare”.

Vuciq ka shtuar se pas kësaj që është bërë më 2008, kur u shpall pavarësia, dhe më 2010, kur u deklarua GJND, nuk i kupton kritikat që opozita e tashme, e cila atëherë, sipas tij, ishte në pushtet, ia bënë aktualisht në cilësinë e presidentit dhe liderit të partisë më të madhe në Serbi.

“Tash po thonë se unë do të jepja territor për fabrike! Po cfarë keni bërë ju? Gjatë kohës tuaj Kosova e ka shpallur pavarësinë. A po dëshironi që ne ta paguajmë cmimin”, ka pyetur ai.

 

 

Interesante