15:55, 9 Nëntor 2018

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Berisha  ka zhvilluar  takime të ndara me presidentin Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Berisha e njohu kreun e Shqipërisë me procesin e tranzicionit të FSK-së, miratimin e  tri  ligjeve nga Parlamenti i Kosovës lidhur me këtë proces,  transparencën e plotë të këtij procesi, bashkëpunimin me partnerët strategjikë dhe shtetet anëtare të NATO-s  për përfundimin me sukses të procesit, i cili po zhvillohet me  konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri i FSK-së u prit në takim edhe nga ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaçka, më të cilën biseduan për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Ministrisë për FSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.

Berisha e njoftoi Xhaçkën edhe me  zhvillimet e fundit në MFSK dhe FSK, arritjet dhe partneritetin e ndërtuar me shtetet mike, si dhe për avancimin e planit lidhur me  misionin dhe detyrat e FSK-së, i njohur tashmë si procesi i tranzicionit të FSK-së.

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka e siguroi Berishën se Ministria e Mbrojtjes  së Shqipërisë  do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve të saj dhe në objektivat për integrime euroatlantike.