18:24, 10 Gusht 2018

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka fajësuar institucionet për reagim të vonshëm ndaj rasteve të dhunës në familje të cilat në disa raste po përfundojnë edhe me vrasje të grave, njofton Klan Kosova.

Këto komente të Berishës vijnë pas marshit të sotëm protestues ku u kërkua drejtësi për Valbona Nrecajn e cila të martën u vra bashkë me të bijën nga burri i saj .

“Nuk e kemi përcjellë vetëm këtë rast. Rrjeti që është themeluar ka punuar në fushën e luftimit të dhunës në familje përmes hulumtimeve – që ta alarmojmë qysh më herët këtë shoqëri që dhuna në familje është e dukshme”, ka thënë Berisha në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Fatkeqësia më e madhe është se shpesh këto raportime, vërejtje, po hasin në vesh të shurdhër. Edhe rekomandimet që ne i japim për ngritje të kapaciteteve të institucioneve shpesh nuk janë marrë për bazë, prandaj edhe sot e kemi këtë numër kaq të madh të dhunës në familje”, ka shtuar ajo duke ia lënë fajin institucioneve për mungesë të efikasitetit.

Sipas Berishës, mosveprimi i institucioneve po ua jep mesazhin burrave që të vazhdojnë së ushtruari dhunë pasi që “nuk ka dënim për ta”.

Megjithatë, Berisha insistoi t’ua vë fajin institucioneve, duke e arsyetuar shoqërinë si të lodhur nga reagimet publike.

“Shoqëria jonë mendoj që pak a shumë janë lodhur nga reagimet publike, dhe nuk po dalin aq në masë të madhe kur ne po kemi protesta apo aksione në rrugë”.

“Mirëpo nuk mundet ta fajësoj shoqërinë sepse siç duket janë duke u ndjerë të pashpresë dhe kjo po i bllokon që të dalin në qytet”.

“Kritikat duhet të jenë te institucionet. Nuk po them që janë vonuar, kanë bërë punë të keqe”.

“Kanë qenë të njoftuar me kohë. Kanë dështuar të reagojnë me kohë”.

Për më tepër, Berisha ka thënë se mesazh pozitiv për vrasësit janë edhe dënimet e ulëta, ndërkaq shpresoi që me rastin e fundit gjyqësori të rezonojë mirë sa i përket ndryshimit të kodit penal, ku edhe do të ashpërsoheshin dënimet për ta.