18:22, 16 Maj 2018

Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama po mbron Fatmir Xhafajn nga skandalet e ditëve të fundit njësoj siç ka mbrojtur persona të tjerë të inkriminuar me të cilët ka ndarë pushtetin këto 5 vite, si Mark Frroku, Elvis Rroshi etj.

Përsa i përket audio-përgjimit të publikuar nga PD, Basha garantoi se është autentik, ambjental dhe i pamanipuluar.

Por, sipas Bashës, Rama në vend të rolit të tij si kryeministër, mori rolin e e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën.

“Kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar. Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!” – mbyll reagimin Lulzim Basha.

REAGIMI I LULZIM BASHëS: 
Makineria e propagandës dhe e shpërqëndrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e rradhës të qeverisë.

Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave. Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë.
Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin.

Sot ishte rradha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambjentale, të pamanipuluara!

Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm. Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë.

Është mashtrim deklarata e Edi Ramës se ai po pret raportet e agjensive ligjzbatuese, nëse kanë indicie për Agron Xhafajn! Faktet tregojnë se ai fshehu dhe mohoi për 3 vjet rresht raportet e shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja për implikimin e Saimir Tahirit dhe Policisë së Shtetit në kanabizimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj po dërgohet në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figure! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij.

Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë. Shqiptarët kanë shumë halle dhe probleme, por ata nuk harrojnë se Edi Rama u tregoi dy vjet më parë se “historia me drogë e vëllait të Fatmir Xhafës ishte e sajuar”, ndërsa sot pranoi se për këtë histori droge “Agron Xhafaj po shkon në burg me këmbët e veta”.

Mes propagandës, gënjeshtrave, kërcënimeve dhe ultimatumeve Edi Rama foli për gjithçka, por nuk u tha shqiptarëve asnjë fjalë pse Shqipëria sot ka për Ministër të Brendshëm një person që është subjekt i ligjit Antimafia. Në asnjë rresht të deklaratës së tij, Edi Rama nuk u dha llogari shqiptarëve pse Fatmir Xhafaj ka penguar zbatimin e ligjit Antimafia për pasurinë e të vëllait, i dënuar për trafik droge dhe, rrjedhimisht, edhe për pasurinë e vet, siç e kërkon me detyrim ligji Antimafia.

Edi Rama sot mori rolin e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën, por jo të kryeministrit që, më e pakta që duhet të bënte, ishte t’i kërkonte Ministrit të tij të Brendshëm të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin antimafia dhe ta largonte atë! Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë.

Interesante