19:22, 9 Nëntor 2018

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka bërë të ditur se ka fituar një kontest gjyqësor në vlerë prej 11 milionë eurosh.

ARKEP ka bërë të ditur se e ka fituar këtë lëndë pas një procesi të gjatë gjyqësor që është zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ndërmarrja “Aurora Israphone” kishte ngritur padi për “Kompensimi dëmit për fitimin e humbur”, njofton Klan Kosova.

“Ky proces ka filluar që nga viti 2010, ku janë mbajtur një numër mjaftë i madh i seancave gjyqësore, e ku pala paditëse ka kërkuar kompensimin e dëmit në vlerë prej 11 milion eurosh nga PTK dhe ARKEP”, shkruan në komunikatën e ARKEP-it.

“Në këtë proces ARKEP është përfaqësuar dinjitetshëm dhe në mënyrë profesionale nga zyrtarët: Rrezarta Ajeti dhe Ilir Imeri. Kështu, pas një periudhe të gjatë të shqyrtimit të kësaj lënde, në të cilin janë trajtuar një numër i konsiderueshëm i provave materiale, ARKEP ka arritur me sukses të dëshmoj dhe vërtetoj të drejtën e saj, si një Rregullator i pavarur dhe i pa anshëm ndaj të gjithë ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë”.

“Në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji për Komunikimet Elektronike, ARKEP mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mos-diskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit”.

 

klankosova.tv