18:38, 16 Prill 2018

Ndërhyrjet ajrore ndaj caqeve të Bashar Al-Assadit në Siri, nga SHBA-ja bashkë me aleatët perëndimorë, Britaninë e Madhe dhe Francën, shihet si reagim që është në anën e obligimit moral për të qenë pranë viktimave të luftës në Siri.

Kështu pohon Arianit Shehu, drejtor ekzekutiv i Institutit Nacional Demokratik (NDI) për Lindjen e Mesme, sipas të cilit, objektivat që e arritura nga këto bombardime janë të limituara dhe kanë mesazh për mospërdorimin e armëve kimike.

“Besoj që kjo është porosi për shtetet tjera që armët kimike të mos përdoren, por në anën tjetër kanë qenë sulme të limituara dhe nuk pritet që të kenë efekt substancial në procesin e paqes në Siri”, ka thënë Shehu.

“Nuk shohim që kjo krizë të përmirësohet nga këto sulme. Janë rreth 700 mijë viktima dhe 8 milionë refugjatë. Çka na frikëson është ndonjë aksion i masës më të gjerë, i përkrahur nga regjimi rus, në përkrahje të forcave të Assadit”.

“Do të shohim një përkeqësim të situatës humanitare dhe si reagim ndaj këtyre sulmeve do të kemi dyndje të luftëtarëve të fraksioneve siriane në mbrojtje që zonave të veta, të ashtuquajtura siriane. Me siguri do të ketë luftime më të ashpra që do të ndikojnë në  sigurinë e civilëve atje”.

Shehu ka thënë në Info Magazine të Klan Kosova se si drejtor i NDI-së për vendet e Lindjes së Mesme është në kontakt të përhershëm me zyrën që kjo organizatë e ka në Turqi që për synim ka përcjelljen e situatës në Siri.

Sipas tij, bombardimet e fundit nga SHBA me aleatët perëndimorë nuk kanë cak ndaljen e regjimit të Assadit, por vetëm rivendosjen e vijës së kuqe që të mos përdoren armët kimike.

“Brengosëse është që do të shihen sulme hakmarrëse me armë konvencionale që do të jenë vdekjeprurëse për civilët. Rusia gjendet edhe një herë në anën e gabuar, sikurse tha zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence. Atë që do të doja të shtoja në këtë deklaratë është që përtej kësaj, diplomacia ruse vendoset karshi regjimit kriminal të Assadit që mban përgjegjësi për vdekjen e 700 mijë civilëve sirianë, ashtu sikurse ishte pozicionuar regjimi i Putinit karshi Millosheviqit dhe gjatë luftës në Kosovë”.

Shehu ka thënë se është inkurajues fakti që ka një numër shumë të vogël të kosovarëve që shkojnë tash të luftojnë për forcat islamike në Siri.

“Dëshiroj t’i uroj autoritet kosovare që kanë marrë vendime konkrete dhe të bazuara për çka edhe kanë meritën dhe simpatinë e gjithë botës me zvogëlimin e mundësisë që kosovarët t’i bashkohet forcave islamike të pakuptimta në Siri”.

“Diplomacia ruse bazohet në hipokrizi. Sa i përket komisionit, ka qenë Rusia që ka penguar vendimin e OKB për një komision ndërkombëtar hulumtues për atë që ka ndodhur në Guta. S’ma merr mendja që diplomacia ruse ka ndonjë argument që t’i kundërshtojë sulmet kimike të kryera nga forcat e Assadit, sepse ata e kanë penguar këtë hetim që ka ndodhur në Guta të Damaskut. Faktet janë të pamohueshme që diplomacia ruse heziton të bëhet pjesë konstruktive e gjetjes së zgjidhjes së konfliktit në Siri”.