20:00, 16 Prill 2018

Arianit Shehu, drejtor ekzekutiv i Institutit Nacional Demokratik (NDI) për Lindjen e Mesme, ka thënë se Siria është shndërruar në një “Teatër për Superfuqitë”.

Ai ka theksuar se intervenimi i forcave amerikane dhe aleatëve perëndimorë, Britanisë së Madhe dhe Francës, nuk është duke u bërë në të mirën e civilëve, njofton Klan Kosova.

“Gjithë ky intervenim nuk është duke u bërë për të mirën e popullit sirian dhe për paqen dhe stabilitetin në Siri. Me ndërhyrjen e Rusisë dhe vendosjen e forcave ruse në Siri, gjithçka është përkeqësuar. Ka pasur një devijim të pakompensueshëm rreth arritjes së ndonjë marrëveshjeje paqësore mes Bashar Al-Assadit dhe opozitës së bashkuar”.

“I gjithë ai plan paqësor dhe përkrahja ndërkombëtare e BE dhe SHBA – që ishte një proces konstruktiv politik, me ndërhyrjen e Rusisë është devijuar në një luftë të tmerrshme qytetare. Siria është vetëm një element shumë i dukshëm i marrëdhënieve të ftohura mes SHBA-së dhe Rusisë”.

Shehu ka thënë se Jordania është duke u përgatitur për një valë të re refugjatësh nga Siria, pasi situata atje do të përkeqësohet pas ndërhyrjeve të fundit ajrore.

“Forcat e Assadit po ripozicinohen krah Hezbollahut dhe gardës iraniane rreth Daras në kufirin jugor të Jordanit. Nuk ka gjasë që të lansohet apo të ripozicionohet procesi i paqes i nisur në Gjenevë. Derisa diplomacia ruse e përdorë Sirinë si platformë të interesave të veta, fatkeqësisht nuk po shihet mundësi reale politike drejt një procesi paqësor që do të sillte përfundimin e luftës dhe kthimin e refugjatëve në Siri”.

 

 

Interesante