18:58, 16 Prill 2018

Arianit Shehu, drejtor ekzekutiv i Institutit Nacional Demokratik për Lindjen e Mesme, ka kritikuar Qeverinë e Shqipërisë për abstenimin ndaj vendimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Një vendim i tillë i Shqipërisë ka qenë i gabuar. Si komb – qoftë si Kosovë, qoftë si Shqipëri – kemi obligim moral, qenësor, shpirtëror, që vendimet e SHBA t’i përkrahim në çfarëdo që bëjnë”, ka thënë Shehu, njofton Klan Kosova.

“Ai obligim nuk ka mbaruar me intervenimin e NATO-s në Kosovë. Në anën tjetër, pozicionimi i qeveritarëve kosovarë ka qenë i duhur karshi vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump”.

“Pas deklarimit të presidentit Trump për rivendosjen e  ambasadës amerikane nga Tel Aviv në Jerusalem, kemi parë përkeqësim të marrëdhënieve mes Hamasit dhe Fatahut. Sipas kushtetues palestineze, që është ndërtuar sipas Marrëveshjes së Oslos më 1993, shteti i Palestinës duhet të ketë presidentin, gjyqësorin, shërbimet e inteligjencës – të gjitha institucionet shtetërore, por që parlamenti nuk ka arritur të formohet dhe qeveria e tanishme nuk ka ministra të Hamasit”.

Shehu ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës që në javët e kaluara është parë përkeqësim drastik mes Fatahut dhe Hamasit.

“Përpjekjet tona janë drejt një unifikimi të spektrit politik palestinez dhe gjetjes së një konsensusi. Presidenti Abas, nëse vendos të largohet, ajo pozitë i takon kryeparlamentarit që është nga radhët e Hamasit, gjë që është e papranueshme për Izraelin dhe shtetet tjera. Veprimet e qeverisë së Netanjahut devijojnë nga përkushtimi i qeverisë izraelite që çon drejt një bashkëjetese në paqe. Edhe në raport mes Hamasit dhe Fatahut nuk ka shenjë drejt ecjes së ndonjë kompromisi për zgjedhje të reja”.