Arben Gashi i LDK-së: Nëse kërkohet unitet për dialogun, duhet unitet edhe në qeverisje (VIDEO) NULL NULL 16.11.2018 19:17 16.11.2018 19:17 Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka folur për mundësinë që Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë ose jo pjesë e Grupit të Unitetit për dialogun Kosovë-Serbi. Madje, ai ka dhënë edhe një ide shumë interesante të cilën ai e ka quajtur personale – nëse ka unitet në dialog, atëherë sipas tij, duhet të ketë edhe një qeveri me bazë të gjerë, një hipotezë që e ka hedhur gjatë një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës. “Uniteti nënkupton shumëçka dhe nuk e di se sa është i gatshëm vendi. Unitet nënkupton bazë e gjerë e përfshirjes, pra nëse nënkupton bazë e gjerë e përfshirjes në dialog nënkupton bazë e gjerë edhe në qeverisje sepse është Qeveria që drejton dialogun”. “Është hipotezë personale. Nëse vlerësohet se është aq e rëndësishme kjo punë, mund të ulemi të gjitha partitë politike dhe të shohim një qeverisje transitore, gjithëpërfshirëse, me bazë të gjerë politike ku të gjitha partitë përfshihen dhe ku nuk do të ketë udhëheqës të profilit të lartë”. “Këto rrethana janë specifike, nuk mund t’i kërkosh opozitës ‘hajde në delegacion’ dhe në delegacion nuk ke vendimmarrje”. “Është ide personale, nëse flasim për gjithëpërfshirje – nuk mund të thuhet ‘hajde të bëjmë gjithëpërfshirje se unë po udhëheq’”. Gashi ka thënë po ashtu se institucionet e vendit duhet të marrin përgjegjësinë e udhëheqjes së dialogut Kosovë-Serbi. “Ne jemi për drejtim institucional të këtij procesi, jo drejtim gjithëpërfshirës në kuptimin e përfshirjes maksimale të forcave politike – por drejtim institucional që nënkupton Presidenti, Qeveria dhe po ashtu vendimet finale të jenë të ndërlidhura edhe me Kuvendin”. “Nuk mund t’i anashkalojmë institucionet dhe të formojmë një ekip të veçantë. Mënyra se si e ka propozuar Qeveria është e papranueshme sepse Qeveria ka propozuar një ekip të përbashkët për dialogun të udhëhequr nga zëvendëskryeministri [Fatmir Limaj]”. Ai ka komentuar edhe propozimin për bashkëkryesimin e këtij Grupi të Unitetit në dialogun Kosovë-Serbi, pra që përveç zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj të jetë edhe një përfaqësues i opozitës. “Këto modele janë përdorur në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk ka pasë institucione të saj të pranuara ndërkombëtarisht”. “Sot kemi institucione, kemi institucionin e Presidentit, Kuvendit, Gjykatën Kushtetuese dhe Qeverinë e Kosovës – janë institucionet që marrin përgjegjësitë sipas parashikimeve kushtetuese dhe nuk mundet një individ të marrë pjesë si i barabartë në një delegacion sepse pozita e tij politike nuk është e njëjtë”. “Ky model i propozuar është i gabuar, vështirë i realizueshëm”. Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka treguar edhe se pse partia ku ai bën pjesë nuk dëshiron të përfshihet në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel. “Kjo faza finale ka 13 vjet që thuhet fazë finale, por asnjëherë nuk ka qenë fazë finale prandaj duhet të jemi të kujdesshëm se si i referohemi dhe i qasemi kësaj çështje”. “Ka pasë qëndrim dhe vendim politik edhe të LDK-së por edhe të Kuvendit të Kosovës se institucionet e Kosovës duhet të drejtojnë çështjet që kanë të bëjnë më dialogun dhe raportet me Serbinë”. “Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës është e ngarkuar me rezolutë nga Kuvendi i Kosovës që të merret me proceset e bisedimeve me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”. Gashi ka thënë se nuk është koha që të kërkohet një formë tjetër e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Duhet të jetë një dialog ndërinstitucional mes palëve [Kosovë-Serbi]. LDK ka kohë që po punon në orientimet strategjike lidhur me këtë çështje dhe besoj se gjatë javës së ardhshme në mbledhjen e Këshillit të LDK-së do të merren edhe vendime politike për këtë çështje”. “Nuk po them se do të ketë alternativë por do të ketë vendim për orientimin strategjik të LDK-së lidhur me këtë çështje”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 28/03/2024