15:25, 13 Qershor 2018

Ambasadori rus Aleksandër Çepurin ka bërë të ditura gjasat për mundësinë që vendi i tij mund të ketë përfshirje edhe më të thellë në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Në një intervistë për gazeten serbe Politika, Çepurin tha se Beogradi kur është fjala për Kosovën, do të përballet me “presionin ultimatum nga armiqtë tradicionalë serbë” – dhe se Rusia ka qenë dhe do të jetë në anën e Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar – ne do të mbështesim atë vendim që Serbia dhe populli serb do ta konsiderojnë të pranueshme për veten e tyre. Ne po ecim nga Rezoluta (1244) e Këshillit të Sigurimit (OKB) që formon bazën ligjore për një marrëveshje” deklaroi ambasadori i Rusisë në Serbi.

Ai vuri në dukje se janë duke u bërë paralele të pajustifikueshme midis Kosovës dhe Krimesë.

“Çështja e Krimesë është mbyllur definitivisht, Krimeja është Rusia, dhe Kosova është Serbi. Nuk është vetëm një slogan, është realiteti ligjor që duhet respektuar”, është shprehur Çepurin, njofton Klan Kosova.

Duke folur për marrëdhëniet e mira midis Rusisë dhe Serbisë, ai tha se ato datojnë nga lindja e shtetit rus në shekullin e 10-të dhe shtoi se ato tani bazohen në marrëdhëniet e besimit midis udhëheqësve të shteteve, mbi lidhjet ekonomike dhe unitetin shekullor kulturor dhe shpirtëror.

Interesante