12:00, 13 Tetor 2017

Kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu në një takim të organizuar nga Forumi i Gruas Demokratike ku mori pjesë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vlerësuar lartë rolin e gruas në shoqëri.

Ai ka thënë se  gruaja është shtyllë e familjes  prandaj duhet dhe do të jetë edhe  shtyllë e shoqërisë sonë.

“Vendi ynë, në themelet e saj, ka të skalitur, gjakun, djersën dhe angazhimin e grave për liri. Janë qindra e mijëra gra, nëna dhe vajza që dhanë shumëçka nga vetja, që liria të vije sa më shpejtë tek ne. Janë ato që shëruan plagët e thella të shoqërisë dhe ushqyen brezin e ri të vendit tonë. Përkulem dhe nderoj, gjithë nënat që dhanë bijtë e bijat e tyre, në luftën çlirimtare për lirinë e vendit tonë. Gjithë ato gra e burra që humbën bashkëshortin ose bashkëshorten, që sot të marrim frymë lirshëm si dhe gjithë vajzat që mbeten pa më të shtrenjtin prind, që ato të jetojnë të lira, të arsimohen dhe të gëzojnë shtetin tonë”.

“Gruaja është shtyllë e familjes, gruaja DUHET dhe DO TË jetë shtylla e shoqërisë sonë. Ato janë shembull sesi në administratën shtetërore mund të punohet me guxim dhe profesionalizëm, me përkushtim e nderë, pa rënë në kurthin e shkeljeve ligjore”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Aliu tha se edhe për ato gra të vyera që me djersë e mundime, krijojnë të ardhura nga veprimtaria bujqësore, nëse ai merrr qeverisjen e Ferizajt do të sigurohet që puna e tyre të promovohet, mbështetet dhe mbrohet.

“Ferizaj i ka dhënë Kosovës shumë gra e vajza, të guximshme e profesioniste, në çdo lëmi të jetës shoqërore, gra të afirmuara në skenën kulturore e sportive, në ekonomi e politikë, në shoqëri civile e media. Gratë kanë dëshmuar se dijnë të jenë biznesmene të suksesshme, nëna të përkushtuara, profesioniste në punë, pronare e trashëgimtare dhe faktor politik e social për fatin e vendit tonë.Andaj në mandatin tim qeverisës, bashkë me ju, synoj që këtë mision ta realizoj. Që gratë të mos mbeten më, makijazh i vendimarrjes lokale, por të marrin përgjegjësi drejtuese shtetërore. Ne synojmë të hapim Drejtorinë për barazi gjinore, që gratë të kenë adresën e saktë për të gjitha iniciativat e idetë për të përmirësuar bashkarisht pozitën e saj në shoqëri” ka thënë Aliu.

Interesante