Albin Kurti kujton bombardimet dhe të rënët gjatë asaj kohe NULL NULL 24.03.2018 23:52 24.03.2018 23:52 Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar kohën kur aeroplanët e NATO-s sulmuan caqet serbe, njofton Klan Kosova. Kurti kujton edhe shumë veprimtarë të vrarë gjatë asaj kohe nga ushtria serbe. Shkrimi i plotë i Kurtit: 19 vjet më parë, aeroplanët e NATO-s sulmuan caqet e forcave serbe në Jugosllavinë e Milosheviqit. Besoj se bombardimet e NATO-s kishin tri shkaqe kryesore kur filluan: 1) Që të mos përsëritej Bosnja në Kosovë. Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 po tregonte se një Srebrenicë e re ishte bërë fort e gjasshme në Kosovë – kjo duhej parandaluar. 2) Që të mos përsëritej Kosova në Maqedoni. Zgjerimi i konfliktit në kushtet kur as nuk zgjidhet as nuk ndalet ai është dukuri e zakonshme – edhe kjo duhej parandaluar. 3) Dështimi i konferencës së Rambujesë. Milosheviqi përfundimisht refuzoi të nënshkruante marrëveshjen me palën kosovare ndonëse në dokumentin e ofruar Serbia përfitonte tejet shumë. Në këto orë të vona të 24 marsit të vitit 1999, u vranë në Mitrovicë Latif Berisha dhe Agim Hajrizi. Latif Berisha ishte profesor universitar, poet, kryetar i LDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i kryesisë në LDK, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, i angazhuar në vazhdimësi për ngritjen arsimore të popullit. Ai u vra në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës. Agim Hajrizi ishte ekonomist, sindikalist i paepur, kryetar i sindikatave komunale në Mitrovicë, kryetar i qeverisjes komunale në Mitrovicë në vitet e ’90-ta. U vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën dhe djalin 10 vjeçar. Kadri Kadriu ishte poet dhe piktor, që besonte se kultura na sjell më pranë lirisë, ishte krijues i veprave artistike shumë të vlefshme. U vra dy javë para Latif Berishës e Agim Hajrizit, saktësisht më 11 mars 1999. Këta tre intelektualë, veprimtarë të çështjes kombëtare e mbështetës të UÇK-së, u ndanë nga jeta të parët porsa filluan bombardimet e NATO-s në Mitrovicën që mbeti e ndarë me përfundimin e atyre bombardimeve. Mitrovica ishte shënjestra e Serbisë agresore. Mitrovica është plaga jonë që s’është mbyllur. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kurti vizitoi për ngushëllime familjen e gazetarit e shkrimtarit të njohur, Bajram Sefaj 17/03/2024