17:25, 5 Shtator 2017

Në kulmin e debateve dhe polemikave që prodhoi zgjedhja e kreut të ri në Akademinë e Shkencave, duket se ky institucion ka gjetur një amanet të Dritëro Agollit, për t’iu mbyllur “gojën” të gjithëve atyre që kanë lëshuar një sërë kritikash ndaj tyre.

Ata kanë postuar amanetin e akademikut Dritëro Agolli, ku ndër të tjera thuhet se: “Akademia e Shkencave nuk është çështje qeveritare por është çështje kombëtare”.

Sipas letrës së Dritëro Agollit, Akademia e Shkencave është rrudhur më shumë për shkak të qëndrimeve jo të mençura në reformat politike, se sa për fajin e saj, shkruan Lapsi.al.

Sipas Agollit, shembull duhet të bëhen investimet që vendet fqinje po ndërmarrin për Akademitë e Shkencave të tyre.

Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paralajmëroi se Akademia do ketë zero fonde nga buxheti i shtetit, nëse nuk reformohet.

Më poshtë amaneti i fundit i Dritëro Agollit për Akademinë e Shkencave:

“Akademia e shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”.

Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër.

Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Çdo diskutim, çdo reformë, është me vend vetëm nëse merret për ta bërë Akademinë e Shkencave më të mirë, më të suksesshme. Shihni çfarë po bëjnë vendet fqinje.

A po e dobësojnë apo po e fuqizojnë akademinë e tyre të shkencave maqedonasit, grekët, serbët, malazezët? Edhe Kosova po e fuqizon akademinë e vet dhe mirë bën.

Popujt që nuk e kanë bërë ende të njohur plotësisht veten në Europë e në botë akademitë detyrimisht duhet t’i ruajnë e t’i forcojnë. Po të më pyesnin mua, unë do të thoja se Akademia e Shkencave jo vetëm duhet të bëhet më e suksesshme, por duhet ngarkuar me detyra.

Ka shumë pyetje të cilave qeveria nuk mund t’u japë vetë përgjigje. Atëherë kujt do t’ia kërkojë përgjigjen?

Reforma është çështje mendimi dhe projekti, jo çështje numrash. Unë besoj se Akademia e Shkencave ka njerëz me mend që mund ta bëjnë vetë reformën, prandaj duhen dëgjuar si thonë ata, sepse ata e dinë më mirë si mund të ndryshojë gjendja dhe si mund të jetë më e dobishme për vendin. Duhet një reformë që të kemi një akademi më dinjitoze.

Dhe kur them kështu kuptoj se Akademia është mpakur e rrudhur më shumë për shkak të qendrimeve të pamençme në reformat politike, se për fajin e vet.

Sigurisht Akademia duhet të lëvizë, duhet të bëhet më e gjallë, më energjike, por më parë të bëjmë pyetjen pse nuk është ashtu si e duam.

Pse është zvogëluar Akademia jonë?

Interesante