14:46, 13 Tetor 2017

Kryetari i Prishtinës, që po kandidon edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Shpend Ahmeti, ka vizituar sot shkollën e mesme të agrobiznesit dhe teknologjisë “Abdyl Frashëri”.

“Kjo shkollë është lidere në Ballkan me punën që bën. Përveç mësimit teorik, në këtë shkollë zhvillohet edhe mësimi praktik, me kabinetet dhe laboratorët më moderne për të gjitha profilet. Është kuzhina trajnuese, pemishtja, ferma e gjedheve, serat, si dhe laboratorët për matjen e cilësisë së ushqimit”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Klan Kosova.

Gjatë kësaj vizite, Ahmeti përgëzoi stafin e shkollës për angazhim maksimal në rritjen e produktivitetit të kësaj shkolle.

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të fokusohemi më shumë në shkollat profesionale, për shkak se edhe ofrojnë më shumë mundësi për punësim”.

“Ne bashkëpunojmë në vazhdimësi me këtë shkollë, dhe marrim produktet e tyre. Me teknologjinë që kanë në dispozicion stafi dhe nxënësit e kësaj shkolle, dhe me angazhimin maksimal që kanë, produktet po dalin shumë kualitative”, tha Ahmeti.

Interesante