Ahmeti: Po flasim për Sallë Koncertale për të zëvendësuar një objekt tashmë të shëmtuar NULL NULL 16.10.2018 21:45 16.10.2018 21:45 Shndërrimi i objektit të ish “Gërmisë” në Sallë Koncertale ka ngjallur debat të madh në kryeqytet duke ndarë në dysh opinionet e njerëzve, pro dhe contra. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke shpjeguar pozicionin e tij në këtë debat ka thënë se jo të gjitha objektet e vjetra janë pjesë e trashëgimisë. “Ne nevojën për Sallë Koncertale e kemi që një kohë të gjatë. Tash na është shfaqur mundësia që e kemi kërkuar në vitin 2016 që Komisioni Evropian të na ndajë një grant me shumë prej 15.4 milionë eurove”. “Nuk është vendosur akoma, pra nuk e kemi vendimin ende sepse duhet të aplikohet për IPA Fonde por kemi gatishmërinë e Komisionit Evropian që të financojë një sallë të tillë”. “Në anën tjetër e kemi objektin e shumë përmendur, objektin e ish “Gërmisë”. Edhe unë jam rritur në Prishtinë, kam memorie nga ajo pjesë por duhet ta potencojmë dhe ky është definicion i trashëgimisë kulturore se jo çdo gjë që është e vjetër është trashëgimi”. Ahmeti në Zona B të Klan Kosovës ka dhënë edhe arsyet se pse ai mendon se ky objekt mund dhe duhet të shndërrohet në Sallë Koncertale. “Unë me ‘mish e shpirt’ kam luftuar për Trekëndëshin, edhe sot luftoj. Edhe pse aty rezistenca është më e madhe dhe jam sulmuar nga grupe që nuk është lehtë të ballafaqohesh të cilët thonë je një jugo-nostalgjik sepse do ta ruash Trekëndëshin”. “Trekëndëshi ka qenë në çdo panoramë të kryeqytetit dhe dihen saktë se cilat janë vlerat e tij, prandaj nuk kemi pranuar ta rrënojmë ashtu njejtë si kam caktuar një Komision për ruajtjen e Menzës dhe shumë objekteve të tjera, disa prej tyre, fatkeqësisht nuk janë ato që kanë qenë”. “Objekti i ish “Gërmisë” i ndërtuar në vitin 1973 është objekt repete, objekt i përsëritur quhet në arkitekturë, që e kemi të ngjashëm edhe në Sarajevë dhe plot vende të ish-Jugosllavisë, njejtë si edhe Sallat e Sportit që janë ndërtuar të njëjta në gjithë territorin e Kosovës”. I pari i kryeqytetit ka thënë se ka krijuar një Komision për t’u marrë me këtë çështje. “Nuk është vendim ad-hoc. Kam krijuar një Komision që të fillojmë negociatat për shkak se Komisioni Evropian po kërkon që nëse duam ta marrim atë grant duhet të vendosim shumë shpejt për lokacionin bazuar në dy kritere – i pastër nga pronësia sepse Komisioni Evropian nuk do probleme me pronësi dhe duhet të jetë loakion qendror, të cilin nuk e kanë definuar që është ai vend”. “Ka pasë edhe ide të tjera por prapa Pallatit të Rinisë më është konfirmuar disa herë se nuk pranojnë ashtu sikur edhe aty ku është i paraparë Pallati i Operës dhe Baletit, te Fakulteti Teknik”. “Nuk po flasim për të zëvendësuar një objekt kulturor me një objekt privat, po flasim për Sallë Koncertale për të zëvendësuar një objekt që tashmë është i shëmtuar”. Kryetari i Prishtinës ka folur edhe për çështjen e memories kolektive, që ata që janë kundër shndërrimit të objektit të ish “Gërmisë” në Sallë Koncertale, e kanë potencuar vazhdimisht. “Më kanë thënë se dy gjëra janë të rëndësishme dhe që janë fizike. E para është fasadae objektit të ish “Gërmisë” që e kemi mbajtur mend të gjithë dhe e cila është shkatërruar pjesërisht për shkak të dritareve që ka hapur Ministria”. “E dyta është i famshmi eskalator apo shkallët lëvizëse që i mbajmë mend si fëmijë. E treta që është përmendur është kujtesa kolektive, të cilën të gjithë e kemi, por atëherë duhet të ruajmë cdo objekt”. “Duhet ta diskutojmë se nëse është veç memoria kolektive në mendjen tonë dhe ai objekt nuk i ngjason as përsërafërmi objektit që të gjithë e mbajmë mend, ta diskutojmë se cila është vlera për ta ruajtur”. Ahmeti ka thënë se “memoria kolektive” mund të vazhdojë të ruhet edhe nëse ky objekt shndërrohet në Sallë Koncertale. “Unë kam kërkuar se nëse bëhen termat e referencës për atë lokacion t’i kërkojmë dy gjëra për dizajnin e ndërtesës- pjesa e fasadës të ruhet në ndërtesën e re dhe nëse dëshirojmë mund të kërkojmë që salla ta ketë eskalatorin [shkallët lëvizëse] brenda si memorie kolektive, apo si kujtim se cka ka pasë aty”. “Po ashtu mund ta mbajmë balloren e ndërtesës. Kjo ka ndodhur në plot ndërtesa nëpër botë ku janë zgjeruar sallat sipas nevojave që i ka qyteti. Mund ta ruajmë balloren dhe ta restaurojmë dhe prapa saj ta ndërtojmë Sallën Koncertale – kështu e ruajmë memorien kolektive dhe i përmbushim nevojat e komunitetit artistik”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kurti vizitoi për ngushëllime familjen e gazetarit e shkrimtarit të njohur, Bajram Sefaj 17/03/2024