18:30, 12 Tetor 2018

Trajneri i futbollit, Afrim Tovërlani ka deklaruar se për të ishte e pritshme fitorja e Kosovës ndaj Maltës për shkak se këta të fundit sipas tij kanë nivel më të ulët të futbollit.

“Fitoren të them të drejtën e kam pritë. Malta ka nivel shumë të ulët të futbollit. Është jashtëzakonisht mirë që e arritëm edhe këtë fitore dhe gradualisht edhe djemtë po fitojnë përvojë”.

Sipas Tovërlanit tashmë përfaqësuesja e Kosovës ka fituar eksperiencë, dhe ka një trajner që din se çka dëshiron.

“Ka ndryshuar shumëçka. Nuk është me përfaqësuesja e Kosovës kur ka qenë pa eksperiencë, edhe trajneri pa eksperiencë. Ka ndryshuar shumëçka, trajneri po e di çka po do. Ka një organizim më të mirë, ka harmonizim shumë më të madh, po dihet kur po dalin në aksion”.

Megjithatë, Tovërlani veçoi disa momente nga kjo ndeshje, që sipas tij shfaqën egoizmin e lojtarëve e që duhet të përmirësohen.

“Ka disa momente të caktuara që po keqpërdoren me egoizma dhe lazdrime. Sipas meje dje më e mira që ka mund të i ndodhë Kosovës ishte goli i barazimit. Ka pasur shume raste, ka pasur individë që kanë pasur lojtarë për të asistuar”.
“Nga kjo ndeshje përveç fitores shumëçka mund të nxjerrim, në mënyrë që në të ardhmen mos të përsëriten disa gabime”.

Trajneri komentoi edhe radhitjen e Kosovës në tabelën e grupit D3 në kuadër të Ligës së Kombeve, ku aktualisht përfaqësuesja kosovare është e para.

“Ndeshja e radhës është edhe më e rëndësishme. Çdo ndeshje e radhës është rëndësishme. Nuk bën në asnjë mënyrë që të pësojmë prej Ishujve Faroe”.

“Nuk guxojmë të mendojmë se kemi përfunduar punë. Shumë më keq është që prej kësaj situate të bime poshtë, se sa me e leshu këtë situatë”.