18:39, 13 Qershor 2018

Trajneri i futbollit në Kosovë, Afrim Tovërlani, ka thënë se futbolli ka ndryshuar shumë sidomos në 40 vitet e fundit.

Ai këtë e ka lidhur me mospraninë e Italisë dhe Holandës në Kampionatit Botëror që nis nesër, duke shtuar se nuk ka kombëtare të dobëta që marrin pjesë në Rusia 2018, njofton Klan Kosova.

“Nuk ka më kombëtare të dobëta. Përpara është ditur favoriti që do ta kalojë grupin. Edhe tash mund të ketë favorit në letër, por që futbolli ka ndryshuar shumë dhe asnjë përfaqësuese nuk mund të mposhtet lehtë. Asnjë përfaqësuesese nuk ka shkuar vetëm për t’u paraqitur në botëror. Meqë Italia  dhe Holanda nuk janë në botëror, tregon se ka ndryshuar futbolli”, ka thënë ai në Info Magazine.

Për të personalisht, favorit mbetet Brazili.

“Është një Brazil shumë më ndryshe nga para katër vjet. Para katër vjetësh Brazili është ndihmuar nga referët sepse nuk ka merituar të arrijë aty ku arriti. Brazili ka mesfushën më të fortë tash. Favoritët tjerë janë edhe Argjentina, Franca, ekip të mirë ka edhe Kroacia. Gjermania nuk e ka potencialin që kishte para katër vjetësh. Spanja ka një luhatje pas shkarkimit të trajnerit”.

Tovërlani ka folur edhe për ndeshjen Zvicër-Serbi, duke thënë se atë brenda grupit do ta fitojnë zviceranët në përbërje të të cilëve janë disa shqiptarë

Në fund ai ka thënë se është për teknologjinë në futboll, që do të praktikohet në këtë ngjarje sportive, por që sipas tij ajo ia zbeh pak sharmin kësaj loje.