13:00, 13 Tetor 2017

Pas një takimi që ka zhvilluar me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, është zotuar se gjatë qeverisjes së ardhshme do të investojë në mirëmbajtjen e objekteve fetare dhe rregullimin e varrezave.

“Sot patëm një bisedë shumë miqësore me Myftiun Tërrnava dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame. Dëgjuam nevojat dhe kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me të drejtat elementare, që ndërlidhen me funksionimin e tyre, me mirëmbajtjen e objekteve dhe mirëmbajtjen e varrezave”, ka thënë Abrashi.

“Ne ofruam bashkëpunimin tonë si komunë dhe dera jonë do të jetë e hapur për Bashkësinë Islame por edhe për bashkësitë tjera që të punojmë gjithmonë në funksion të bashkëjetesës dhe mirëqenies së qytetarëve”.

Ai tha se “tek e fundit edhe ne jemi të gjithë besimtarë dhe duhet të punojmë për bashkëjetesë dhe kultivimin e vlerave fetare, që ndikon në luftimin e dukurive negative në shoqëri”.

Myftiu Tërrnava ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), sikur në të kaluarën, ashtu edhe sot, ka disa probleme të natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohet, shkruan në komunikatën për media nga Lidhja Demokratike e Kosovës, transmeton Klan Kosova.

“Unë sot e falënderoj z. Abrashi për këtë vizitë. Ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë mes vete, pasi që dera e Bashkësisë Islame është e hapur për të gjithë, sepse BIK është mbipartiake”, ka thënë Myftiu Tërnava.

“Neve na intereson që kjo fushatë të jetë e qetë dhe si po shihet kjo është një prej fushatave më të qeta dhe më të mira që janë zhvilluar në Kosovë”.

Interesante