15:24, 13 Tetor 2017

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi, ka prezantuar të premten Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal të Prishtinës, e cila parasheh krijimin e zonave ekonomike, Fondin e Punësimit, investime në infrastrukturë rrugore dhe parkingjet, “One Stop Shop” për ndërtuesit, Terminal intermodal, shndërrimin e Zonës së Gollakut në qendër turistike etj., thuhet në komunikatën për media nga LDK.

“Prishtinës i humbi roli zhvillimor që kishte, duke marrë fatkeqësisht karakter degradues. Plani im do ta kthejë karakterin zhvillimor të një kryeqyteti metropol, i cili gjeneron vende pune për qytetarët”, ka thënë Abrashi.

Ai potencoi se prioritet kryesor i tij është zhvillimi dhe punësimi. “Përmes Fondit Zhvillimor kemi hartuar projektin e krijimit të kushteve për punësimin e rreth 30 mijë punëkërkuesve, përmes subvencionimit dhe përkrahjes së bizneseve të reja dhe atyre të tashme, ku me një qasje metropolitane do të bëhet zhvillimi infrastrukturor nëpër zonat ekonomike”, tha Abrashi.

Ai gjithashtu potencoi se Prishtina do të bëjë reformimin e tatimeve ku do ta kthejë në pikën zero rritjen e tatimeve nga qeverisja e deritanishme, sepse është e padrejtë në disa vende tatimi të rritet për 300%, siç është Veterniku dhe plot lagje tjera, ndërsa nuk është bërë asnjë investim.

Qëllimi kryesor i Abrashit është zvogëlimi i papunësisë, rritja e standardit te jetesës, krijimin e mundësive për investime te reja.

“Me krijimin e zonave ekonomike do të bëjmë rregullimin e infrastrukturës komunale, do të lirohen nga pagesa e tatimit në pronë 1-2 vitet e para dhe do të bëhet përmirësimi i rrjeteve të logjistikës në shërbim të bizneseve”, tha Abrashi.

Sa i përket Fondit të Punësimit, sipas tij, do të zbatohen masat aktive të tregut, praktika dhe trajnime në punë, subvencionimin e pagave, grante në biznese, grante për ‘start up’ dhe inovacion, punë publike etj.

“One Stop Shop” për ndërtuesit do të ofrojë shërbimet për menaxhim urban, pronësinë, inspekcionin etj. Do të hapen 5 ‘One Stop Shop’ nga një në secilin distrikt të kryeqytetit.

Terminali multimodal i transportit “autobus-tren-tramvaj” në zonën ekonomike në dalje të Prishtinës për Fushë Kosovë si pikë kyçe e transportit të njerëzve në gjithë Kosovën.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se Prishtina është shndërruar në instrument shfrytëzimi për objektiva tjera, ku i ka humbur vetitë që ka pas si qendër diplomatike dhe kulturore.

Sipas Hotit, me kryetarin e ri Arban Abrashi, Prishtina do të frymojë si një metropol, ku të rinjve do tu krijohet perspektivë.

Interesante