11:30, 14 Maj 2018

Finalja e Konferencës së Lindjes në NBA nisi nën shenjën e Boston Celtics. Skuadra më e titulluar e basketbollit amerikan shpartalloi rivalët e Cleveland Cavaliers në sfidën e parë duke u dhënë një mësim të mirë miqëve nga Ohio dhe duke u treguar të gjithëve se këtë vit Boston e ka potencialin edhe pa të dëmtuarin Kyrie Irving për të fituar jo vetëm titullin në Lindje por edhe për t’u shpallur kampione e NBA, pasi forca e vërtetë e kësaj skuadre është grupi dhe jo individi.

Dominim total i Celtics në finalen e parë me Cavaliers që u dorëzuan pa kushte duke u larguar në fund nga TD Garden me një humbje dërmuese me shifrat e thella 108-83.

Tre muskutierët e formacionit të drejtuar nga trajneri Brad Stevens ishin Jaylen Broën me 23 pikë, Marcus Morris me 21 dhe Al Horford me 20 pikë. Sfida mori drejtim që në pjesën e parë me Celtics që shkuan në pushim me një avantazh të frikshëm prej plot 26 pikësh. Smund të bënte asgjë ylli i Cavaliers LeBron James për të evituar humbjen e skuadrës së tij pasi mbreti James u bllokua në mënyrë perfekte nga mbrojtja vendase dhe nuk u mbështet për asnjë moment nga shokët e skuadrës, me përjashtim të Kevin Love që u mundua të bënte diçka.

Pikërisht ky i fundit ishte shënuesi më i mirë i Cavs me 17 pikë ndërsa James shtoi 15 pikë 9 asiste dhe 7 rikuperime në këtë disfatë turpëruese të Cleveland me plot 25 pikë diferencë.

Edhe ndeshja e dytë finale do të zhvillohet në TD Garden të Bostonit me Cavaliers që duhet të ndryshojnë patjetër fytyrë nëse dëshirojnë të luftojnë deri në fund për të fituar titullin në Lindje dhe për të shkuar në finalen e madhe të NBA.

Interesante